13:32 / 04 / 02 / 2016

13:32 / 04 / 02 / 2016

Është inaguruar sot Klubi i Prodhuesve të Kosovës. Në një organizim solemn në hotelin “Emerald”,  me rastin e promovimit të këtij Klubi, morën pjesë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ministra të kabinetit qeveritarë, deputetë, përfaqësues ndërkombëtar dhe përfaqësues nga biznesi vendor.

Visar Kelmendi, kryetar i Klubit të Prodhuesve të Kosovës (KPK) me këtë rast theksoi se në kuadër të Klubit fillimisht janë nëntë firma themeluese, ose siç ai “nëntë shtëpi të njohura” të prodhimeve vendore. Sipas tij, qëllim i anëtarëve të KPK-së, që janë ndër kompanitë prodhuese me të mëdha në Kosovë (ata kanë në pronësi 23 fabrika me më shumë se 100 brende dhe rreth 15 mijë të punësuar direkt dhe indirekt), është që përmes klubit të avokojnë tek institucionet për një qasje ndryshe ndaj prodhuesve vendor, fuqizimin e tyre përmes krijimit të kushteve më të favorshme të te bërit biznes, dhe të klimës se përgjithshme ekonomike në vend.

“Ne besojmë se Kosova meriton zhvillim më të mirë ekonomik. Besojmë se kjo mund të arrihet vetëm përmes fuqizimit të prodhuesve vendore. Ky është edhe qëllimi i jonë”, tha më këtë rast Kelemndi.

Pasi e ka përshëndetur nismën e punës se këtij Klubi, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka përmendur nënshkrimin e MSA-së me Bashkimn Evropian duke thënë se iniciativa si kjo e prodhuesve vendor vijnë në kohën e duhur. “Duhet të përgatitemi për eksport. Këto firma janë ato që do ta bartin barrën e konkurrencës me vendet e huaja. Prandaj, duhet t’i përgatisim bizneset për të qenë konkurrues në tregjet evropiane”, ka thënë Mustafa, i cili inaugurimin e KPK-së e ka quajtur si akt simbolik me rastin e tetë vjetorit të pavarësisë se Kosovës.  Kryeministri ka thënë se përmes Klubit të Prodhuesve Vendor, Qeveria e Kosovës do të këtë bashkëpunim edhe më të mirë me prodhuesit vendor në përgjithësi.

Drejtori ekzekutiv i KPK-së, njëherit dhe pjesë e grupit themelues, Astrit Panxha, ka dhënë më shumë detaje për qellimin e krijimit të këtij asociacioni. “Puna jonë do të bazohet në tri shtylla kryesore. Avokimi, përmes së cilës Klubi synon të ndikoj tek institucionet përkatëse për të avancuar dhe përmirësuar politikat ndaj prodhuesve vendor; bashkëpunimi me të gjithë akterët relevant; promovimi i i produkteve Made in Kosova si brenda ashtu edhe jashtë vendit si dhe vetëdijesimin dhe mbrojtjen e konsumatorit”, ka thënë Panxha, i cili ka shtuar se puna e parë e KPK-së do të jetë fillimi i një fushate të madhe të promovimit të prodhimeve vendore. Panxha ka përmendur se e vetmja mënyrë për të depërtuar në BE është rritja e cilësisë se produkteve vendore. Në fund, ai theksoi se Klubi synon ndryshime rrënjësore në strukturën e ekonomisë, me qëllim të rritjes se të ardhurave, uljes se varfërisë, zhvillimit ekonomik dhe avancimeve të proceseve zhvillimore.

Anëtarët dhe njëkohësisht themeluesit e KPK-së janë kompanitë: Plastika, Haxhijaha, Rugove, Pestova, Trepharm, Kivo, Devolli group, Elnor dhe Fluidi. /Revista Ekonomia/