kthimi

Është mbajtur këto ditë në Prishtinë Konferenca për prezantimin e rezultateve të anketës “Perceptimi i Konsumatorëve për Prodhimet  Vendore”, e iniciuar  nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës (KPK) dhe e realizuar nga NOVUS Consulting. Konferenca u organizua nga KPK mbështetur nga partnerët në kuadër të fushatës Made in Kosova.

Hapjen e Konferencës e kanë bërë përfaqësuesit e KPK-së Astrit Panxha, Drejtor Ekzekutiv dhe Visar Kelmendi, Kryetar i KPK-së. Prezantimi i rezultateve të anketës është bërë nga Agon Nixha, përfaqësues i NOVUS Consulting. Ndërsa paneli i konferencës ishte në përbërje: Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë,  Hykmete Bajrami, anëtari i Bordit Ekzekutiv të RTV 21, Eugen Saraçini, Drejtori Ekzekutiv i KIESA, Besian Mustafa dhe Drejtoresha Ekzekutive e Red Mill, Erëza Vela Berisha

Shumica e respondentëve (rreth 60 për qind) të anketës “Përceptimi i Konsumatorëve për Prodhimet Vendore”, të realizuar me porosi të Klubit të Prodhuesve të Kosovës, e vlerësojnë origjinën e produkteve të cilat i konsumojnë, ndërsa 76 për qind e tyre u besojnë më shumë produkteve vendore. Sipas kësaj ankete, 65 për qind të konsumit të respondetëve (1064 respondentë të anketuar) e përbëjnë prodhimet vendore, ndërsa 35 për qind prodhime nga importi.

Agron Nixha duke paraqitur rezultatet e anketës theksoi se qëllimi i anketës ka qenë sigurimi i të dhënave rreth pikëpamjeve dhe sjelljeve të qytetarëve të Kosovës ndaj prodhimeve vendore. Për të siguruar rezultate reprezentative anketa ka përfshirë zonat urbane dhe rurale dhe të gjitha strukturat demografike në Kosovë. Sipas anketës, 60 për qind e respodentëve deklarojnë se konsumi i prodhimeve vendore është rritur (dukshëm ose deri diku) në krahasim me vitin e kaluar ndërsa arsyeja primare e atyre që blejnë prodhimeve vendore është patriotizmi, kurse e atyre që nuk blejnë prodhime vendore është cilësia e ulët. Prej prodhimeve vendore sipas anketës respondentët konsumojnë më se shumti produkte ushqimore dhe ujë, ndërsa më se paku pije alkoolike dhe produkte të ndërtimtarisë. Ndonëse përgjithësisht respodentët kanë përshtypje të mirë për prodhimet vendore shumica (61 për qind) megjithatë sugjerojnë se cilësia duhet të përmirësohet.