30.01.2018

Sot u mbajt konferenca “Konkurrenca e Industrisë Metalike (me fokus në shkathtësi)”, konferencë kjo e organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës në bashkëpunim me EYE- Enhancing Youth Employment ( Projekt i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim).

Konferenca pati për qëllim të diskutojë mbi aftësitë të cilat kërkohen në industrinë e metalit, me fokus në lëmin e saldimit. Duke u përqendruar në sfidat të cilat janë të pranishme për rekrutimin e stafit në industrinë metalike, se sa është e lehtë të rekrutohen studentët në shkollat profesionale dhe se sa përputhen shkathtësitë ekzistuese me nevojat e tregut.  Në konferencë u diskutua edhe mbi rëndësinë dhe kërkesat e eksportit për industrinë metalike.

Pjesëmarrës në konferencë ishin përfaqësues të qeverisë dhe institucioneve shtetërore, përfaqësues të organizatave të biznesit, përfaqësues nga organizatat e trajnimit profesional dhe konsulentë të ndryshëm.

Konferencën e hapi drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, z.Astrit Panxha, i cili vlerësoi se kjo temë është e një rëndësie të veçantë, pasi industria e metalit është sektor me potencial në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Klubi i Prodhuesve në kuadër të strategjisë ka katër shtyllat e zhvillimit ekonomik, shtylla këto që përfshijnë punësimin, diplomacinë ekonomike, energjinë dhe ambientin. “ Pa pasur punëtorë të shkathët, nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm. Vlen të përmendet që vetëm me ndërtimin e termocentralit së Kosovës së re, i cili është investim rreth 1.3 miliard euro, do të ketë nevojë për punëtorë të kualifikuar, është mirë që ky investim të mbetet në Kosovë” deklaroi z. Panxha.

Timothy Sparkman, drejtor i programit EYE, tha që ky program projekt katër vjeçar i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim,  ka për qëllim zhvillimin sistematik të një partneriteti afatgjatë me sektorin privat, duke i mbështetur mundësitë e punësimit dhe duke lehtësuar tranzicionin në tregun e punës. Z.Timothy Sparkman theksoi që rezultat i bisedave dhe raporteve të shumta është hendeku i aftësive, ka kërkesës mjaft të madhe për punësim, mirëpo shkalla e papunësisë është po ashtu e madhe, sidomos në lëmin e saldimit. “Ju sfidojë të jeni më inovativ në zgjidhje të problemit të zhvillimit ekonomik, gjeni zgjidhje që nuk i keni përdorur më parë.”

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, z.Valdrin Lluka shprehu gatishmërinë për përmirësimin e situatës aktuale dhe bëri të ditur që me strategjinë e zhvillimit ekonomik do të përfshihet ndërtimi i termocentralit Kosova e Re, sektori minerar dhe zhvillimi i Trepçës, ku do të ketë edhe investime të huaja. “Në vitin e ardhshëm, me fillimin e ndërtimit të termocentralit, do të nevojiten punëtorë të kualifikuar, sidomos në saldim, e cila do të jetë shkathtësia më e kërkuar në Kosovë”. Po ashtu, z.Lluka sigurojë që me nënshkrimin e kontratë me Countour Global për termocentralin Kosova e Re, është paraparë që në kushte të barabarta të ju jepet përparësi kompanive lokale dhe të ndajë një fond për zhvillimin e shkathtësisë për saldim.

Ndërsa, ministri z.Bytyqi u shpreh optimist me rritjen e kërkesës për vendet e punës. Ai u shpreh që së bashku me kompanitë private do të kenë marrëveshje për zhvillimin e kurrikulave edhe në aspektin e praktikës. “Së bashku me Klubin e Prodhuesve kemi bërë marrëveshje qe mësimi praktik të zhvillohet edhe në kompanitë private.”

Gjatë konferencës  përfaqësuesit e bizneseve patën rastin që t’i shprehin shqetësimet rreth zhvillimit të aktiviteteve të tyre biznesore, ku theksuan që mungesa e aftësimit profesional si një ndër barrierat kryesore për industrinë e metalit në Kosovë. Nijazi Musliu nga Eurometal tregoi që ju mungojnë kuadrot profesional, sidomos në saldim. Ai tregoi që kompania e tij është dashur të anuloj projekte pasi që nuk ka pasur stafin e përshtatshëm për punë.

Safet Ymeri nga qendra trajnuese në KEK, tha që qendra bënë trajnimin e punëtorëve dhe trajnimet zgjasin të paktën tri javë. “Me modulet ekzistuese mundemi t’i mbulojmë kërkesat e tregut, po nevojitet gatishmëri prej kompanive që t’i sjellin punëtorët e tyre për certifikim.”

Faik Salihu nga shkolla e mesme e makinerisë Shtjefën Gjeçovi tha që ka pasur shumë ndihmë nga kompanitë prodhuese në sigurimin e materialeve punuese. Ai tha qe shkolla ka gjithsej një mijë nxënës, ku gjashtëdhjetë prej tyre janë të fokusuar në saldim.

Binak Morina nga Hymeri Group, tregoi për shkollën e re të hapur prej tyre, me drejtime në mekatronikë, metal punues, saldim. Shkolla është e hapur rishtazi dhe tenton që t’i plotësojë nevojat e tregut, por synon akreditimin e plotë të saj në aftësimin profesional.

Përveç mungesës së shkathtësisë u adresua edhe problemi i eksportit të metaleve. Si sfidë kryesore e eksportit u theksua mungesa e informacionit nga kompanitë prodhuese për kërkesat e tregut të jashtëm dhe moscertifikimi i produkteve që do të lehtësonte eksportin në tregun e jashtëm.