29.12.2017

Klubit të Prodhuesve të Kosovës (KPK), iu shtuan edhe tre anëtar të rinj. KPK  është organizatë  e cila ka për synim avokimin e politikave të favorshme të prodhuesve tek institucionet shtetërore, të bashkëpunojë me akterë relevant për nxitjen e zhvillimit të sektorit të prodhimit. Anëtarët të cilët tashmë janë bërë pjesë e KPK-së  janë: Intersteel,  Viprint dhe RIZAM Holding.

Fabrika për prodhimin e gypave të çelikut – Intersteel  ka krijuar një traditë në  prodhimin e produkteve të ndryshme nga çeliku si dhe në plasmanin  e tyre, që nga viti 2006, jo vetëm në Kosovë  dhe në vendet e rajonit  Shqipëri, Maqedoni, Serbi, Mal të Zi por edhe në Rumani dhe Turqi. Kjo korporatë ka një potencial solid ekonomik, pasi disponon me Linjën për prodhimin e Gypave të metalit,  si dhe me rrjetë të zhvilluar tregtar, i cili mundëson progres në zhvillim dhe perspektivë në rritjen e bazës ekonomike.  Korporata për momentin ka të punësuar 50 punëtor, dhe veprimtaria kryesore e kompanisë është prodhimi i produkteve nga metali, prodhimi i metalit të hekurit, çelikut dhe ferrolëgurave, prodhimi i armaturave, dritareve, portave metalike e të ngjashme, si dhe tregtia me shumicë.

Viprint është biznes i orientuar nga shërbimi ndaj klientëve, që ofron shërbime të shtypjes për kompanitë private, shtetërore, publike, si dhe organizatat internacionale, të cilat veprojnë ne Republikën e Kosovës dhe jashtë saj. Viprint ofron kualitet të lartë, shpejtësi në punë dhe produkte të reja inovative për klientët e saj.  Fushëveprimi i kompanisë Viprint mbulon shtypjen e librave, revistave, posterëve, kalendarëve të murit, kalendarëve për tavolina, memorandumeve, buletineve informative, zarfeve, kartëvizitave, biletave, pakove, çantave, si dhe materialeve të ndryshme të duhura për reklamim të ndërmarrjeve në treg. Viprint  padyshim është shtypshkronja më inovative jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë.

Ndërmarrja RIZAM Holding është kompani prodhuese familjare e cila veprimtarinë e sa j e ka filluar që nga viti 1989. Mirëpo, fabrikën e parë private në Kosovë për prodhimin e materialit ndërtimor prej argjilës- izobllokat, e ka filluar gjatë viteve 2006-2008, në Krushë të Vogël.  Kompania RIZAM Holding ka të punësuar mbi 120 punëtorë.  Veprimtaria e kompanisë RIZAM Holding ndahet në fabrikën për bluarjen e grurit nën firmën RIZAM-Mulliri i Ri, si dhe  fabrikën për prodhimin e thasëve nga polipropeni me emër –POLITEKS.

Qëllimi i KPK-së është nxitja e diskutimit dhe bashkëpunimit në mes anëtarëve të klubit dhe institucioneve shtetërore dhe private për fuqizimin dhe promovimin e prodhimeve vendore si dhe vetëdijesimin e  qytetarëve për kualitetin e prodhimeve vendore. Në të ardhmen, klubi do të bëjë anëtarësimin edhe të prodhuesve tjerë, në përputhje me statutin e klubit.