Klubi i Prodhuesve të Kosovës mbajti edicionin e dytë të Konventës së Prodhuesve të Kosovës. Synimi kryesor i Konventës ishte diskutimi i hapur rreth temave të cilat ndikojnë në fuqizimin e prodhuesve dhe që rrisin konkurrueshmërinë e produkteve “Made in Kosova”. Edicioni i dytë i Konventës u fokusua tregtinë rajonale, në digjitalizimin e sektorit të prodhimit dhe në tërheqjen e investimeve të huaja direkte, si shtytës të zhvillimit ekonomik. Kjo konventë mblodhi shumë kompani prodhuese nga vendi dhe u përdor si një platformë për diskutim mbi bashkëpunimin ekonomik midis Kosovës dhe vendeve të rajonit.

Ky edicion u sponsorizoua nga projekti për Promovimin e  Punësimit në Sektorin Privat (PPSE), ProCredit Bank, Banka Botërore / Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), dhe u mbështet nga Forumi Ekonomik Mbarë- Shqiptarë. Partner këta që me punën e tyre në vazhdimësi kanë përkrahur sektorin e prodhimit në Kosovë.

Presidenti i Klubit të Prodhuesve z.Bashkim Osmani në fjalën e tij hyrëse në Konventën e Prodhuesve të Kosovës u shpreh që Klubi i Prodhuesve do të vazhdojë të jetë një partner i institucioneve tona dhe do të kontribuojë në zhvillimin e vendit.

Po ashtu ai u shpreh që Klubi i Prodhuesve të Kosovës është për lëvizje të lirë të mallrave, njerëzve dhe kapitalit. Ai përmendi një sërë temash që ja adresoi qeverisë së re dhe kërkoi përkrahjen e prodhimit nga qeveria e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës z.Albin Kurti shprehu kënaqësinë që ishte pjesë e Konventës dhe u shpreh mirënjohës për punën tejet të rëndësishme në promovimin e prodhuesve dhe produkteve vendore.

Ai theksoi që prodhuesit tanë janë edhe shtylla e shoqërisë, jo vetëm e ekonomisë, dhe përkundër vështirësive dhe pengesave të shumta me të cilat përballen e që janë të shumta edhe në numër edhe në lloj, prodhuesit kanë vendosur që të investojnë dhe të punojnë në Kosovë.

”Nga unë si kryeministër dhe nga qeveria që unë drejtoj ju do të keni vëmendjen maksimale, prandaj pres që edhe nga kjo konventë të dilni me rekomandime të cilat ne do t’i kthejmë në veprime konkrete.”

Ai gjatë fjalimi të tij u fokusua në tri çështje, në programin qeverisës në mbështetje të prodhuesve vendor; në reciprocitetin tregtar dhe ekonomik; si dhe në nevojën për prodhime vendore.

Astrit Panxha- Drejtor ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve në fjalën e tij shpalosi programin e Klubit të Prodhuesve për këtë vit dhe u shpreh që fokusi kryesor do të jetë në arsimin dhe aftësimin profesional, tërheqja e investimeve të huaja si dhe rendësi të veçantë i dha edhe vazhdimit të promovimit të brendit MADE in KOSOVA, si brend që Klubi ka filluar si iniciativë dhe me shumë krenari ka filluar të promovohet gjithandej.

Ndërsa, Visar Perani zyrtar i vendit në Kosovë nga IFC, shpalosi për të pranishmit programet që IFC ka për fuqizimin e prodhimit në vend, ku u shpreh që prodhuesit janë zemra e zhvillimit ekonomik në vend. Ai përmendi që avantazhet ka Kosova nga vendet e rajonit, si pozita e mirë gjeografike, kostoja e lirë e prodhimit, fuqia punëtore dhe MSA-ja nuk janë shfrytëzuar mjaftueshëm.

Po ashtu gjatë Konventës së Prodhuesve të Kosovës u bë edhe nënshkrimi i Kodit të Bizneseve kundër Korrupsionit, ku anëtarët e Klubit të Prodhuesve bënë edhe nënshkrimin formal të këtij Kodi.

Nëpërmjet këtij Kodi, anëtarët e Klubit të Prodhuesve u zotuan se do të zbatojnë standardet më të avancuara të etikës, transparencës dhe të integritetit në aktivitete e tyre biznesore, se do të shmangin me vendosmëri çdo formë të përfshirjes në raste të korrupsionit, ofrimit të dhuratave apo favoreve tjera zyrtarëve publik apo personave tjerë zyrtarë apo privat që kanë për qëllim sigurimin e privilegjeve apo përfitim të paligjshëm në favor të kompanisë.