28.08.2018

Këtë vit Klubi i Prodhuesve të Kosovës është bashkëorganizator i Festivalit të Gjelbër i cili organizohet nga USAID EMPOWER Sektori Privat në partneritet me Sida – Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, dhe mbështetet nga GIZ, Ambasada Holandeze në Kosovë, ProCredit Bank, TEB ShA dhe GEFF në Kosovë.

Edicioni i tretë i Festivalit të Gjelbër do të mbahet në Sallën e Sporteve 1 Tetori në Prishtinë me datat 19-21 shtator 2018.

Festivali i Gjelbër ka për qëllim promovimin e rritjes së biznesit të “gjelbër” në Kosovë, avokimin për përmirësimin e politikave ligjore të nevojshme për rritjen e biznesit të gjelbër, si dhe ngritjen e vetëdijes publike për përfitimet e adoptimit të praktikave dhe teknologjive të gjelbra. Sektori i “gjelbër” mbulon një fushë të gjerë të bizneseve në që merren me energji të ripërtërihem, energji efikase dhe me riciklim. Sektor ky i cili ofron mundësi të konsiderueshme për krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritje të qëndrueshme ekonomike në vend.

Këtë vit ju do të keni mundësinë të takoni më shumë se 40 kompani të “gjelbra” të cilat do të paraqesin produktet dhe shërbimet e tyre. Mos e humbni mundësinë të merrni pjesë në sesionet e Forumeve të Gjelbra dhe mësoni nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë për trendet në riciklim, efiçiencë të energjisë dhe energji të ripërtëritshme. Aktivitetet paralele përgjatë Festivalit do të zgjojnë interesin dhe kureshtjen e vizitorëve pa marrë parasysh moshën.

Koncepti i Festivalit të Gjelbër është në përputhshmëri me punën e Klubit të Prodhuesve të Kosovës, ku objektivat kryesore të Klubit janë  promovimi i produkteve “Made in Kosova” si dhe në përputhje me strategjinë bazë të Klubit e cila përfshinë punësimin, diplomacinë ekonomike, energjinë dhe ambientin.