Në këtë takim merrte pjesë ministrja shqiptare e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Hykmete Bajrami si dhe ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Driton Kuçi.

Shoqata e Prodhuesve shqiptarë, Klubi i prodhuesve të Kosovës dhe Oda Ekonomisë e Maqedonisë Veripërëndimore, janë angazhuar së bashku duke krijuar Forumin e Përbashkët të Prodhuesve, për një ekonomi të fortë të trevave shqipfolëse. Në këtë takim u zgjodh dhe kryetari i parë i këtij forumi, Nagip Fejzi nga Gostivari, një ndër prodhuesit e suksesshëm shqiptarë dhe siç quhet ambasador i prodhimeve shqiptare në rajon e në botë.

Duke përshëndetur idenë e këtij forumi, ministrja Ekonomi në fjalën e saj tha se Qeveria shqiptare po përpiqet të marrë të gjitha masat e nevojshme për të lehtësuar punën e biznesit në vend, për të eliminuar barrierat tregtare të panevojshme duke dëgjuar zërin e biznesit.

“Gjithashtu përmes panaireve të përbashkëta si ai i 28 Nëntorit jemi munduar të komunikojmë te qytetari mesazhin “Bli Shqip”, “Konsumo Shqip””, tha Ekonomi. Ajo tha se ky forum do të jetë një pikë e mirë reference për të dëgjuar më shumë rreth problemeve tregtare që hasin prodhuesit e tre vendeve dhe t’i adresojmë ato, raporton Koha.net.

Ministrja shqiptare tha se procesi i Berlinit kërkon pikërisht krijimin e një tregu të përbashkët (single market) në Ballkanin perëndimor dhe për të arritur këtë “ne duhet të funksionojmë më mirë mes nesh në trevat shqipfolëse”.

“Jemi të angazhuar të mbështesim gjithë produktet me etiketën Made in Albania, Made in Kosova dhe Made in Macedonia, kryesisht të gjitha ato që janë prodhime shqiptare”, potencoi ministrja shqiptare.

Ndërkaq, ministrja Bajrami foli për përpjekjet që ka bërë qeveria e Kosovës për të lehtësuar barrierat tregtare me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ajo tha pavarësisht se po adresohen problematikat e ardhura nga biznesi, përsëri ka ende barriera që dalin rrugës dhe kërkojnë zgjidhje.

Ajo përmendi dhe paketën e fundit të masave fiskale në ndihmë të biznesit nga Ministria e Financave që priten të miratohen brenda një jave.

Bajrami tha se paketa nisi fillimisht me 7 masa dhe tashmë janë 22 masa lehtësuese që do miratohen së shpejti në ndihmë të biznesit.

“Prodhojmë produkte të mira, por s’kemi patur organizime të tilla si ky. Ndaj duhet ta stimulojmë punën e tij dhe të kemi një zë të vetëm të prodhuesve mbarë shqiptarë”, theksoi ministrja Bajrami.

Ministri i Maqedonisë, Kuçi, u shpreh se ka në fakt problematika që shfaqen mes shkëmbimeve tregtare shqiptare e maqedonase kryesisht për produktet bujqësore, dhe tha ta ketë diskutuar me ministrat Ekonomi dhe Panariti për t’i lehtësuar barrierat në këtë drejtim. Ai tha se vërtet Maqedonia ka disa probleme politike për momentin, por vullneti për të zgjidhur problemet e biznesit nuk mungon. Ai kërkoi që të gjitha çështjet që do dalin nga ky forum t’i dërgohen për zgjidhje qeverive respektive dhe kështu të adresohen më mirë.

Përfaqësuesit e Dhomave të Tregtisë së tre vendeve shtruan disa probleme të ngutshme që duhet të zgjidhen për të nxitur tregtinë e produkteve shqiptare mes tre vendeve, si: heqjen e barrierave tarifore dhe jotarifore, liberalizimin e kufirit doganor, heqjen e tarifës së skanimit doganor, njohja e faturës së TVSH-së së Kosovës në Shqipëri dhe anasjelltas, dhënia e pasaportave me dyshtetësi për sipërmarrësit kosovarë, krijimin e paketave promocionale për të krijuar besim të konsumatori shqiptar duke kërkuar që dhe sipërmarrja të plotësojë standarde të larta të prodhimit të produkteve.

Takimi u mbyll me bindjen se ky forum do jetë një zë i fuqishëm për të ndikuar te tre qeveritë që të lehtësohet biznesi dhe shkëmbimi tregtar mes tre vendeve.

“Herë tjetër kur të ulemi në tryeza të tilla duhet që në tavolinat tona të kemi vetëm produkte shqiptare”, tha kreu i forumit, Nagip Fejzi.

“Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia nuk duhet të kenë më retorikë por axhendë të saktë se ku duhet të shkojnë së bashku për të garantuar që produktet shqiptare të dominojnë në të gjitha trevat shqiptare në rajon”, tha Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë.

Nga Telegrafi.com