19.12.2017

Mbrëmë u mbajt Gala Mbrëmja ‘Made in Kosova’, e cila është vazhdimësi e aktiviteteve promovuese për prodhimet vendore të iniciuara nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës. Kjo natë shënoi zyrtarisht edhe fillimin e fushatës ‘Made in Kosova’, e cila bartë mesazhin pozitiv për sektorin e prodhimit në Kosovë dhe synon ngritjen e vetëdijes qytetare për rolin pozitiv që konsumi i prodhimeve vendore luan në zhvillimin ekonomik të vendit. Fushata ‘Made in Kosova’ si pjesë e aktiviteteve të KPK-së, mbështetet nga Ministra e Financave, USAID, Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë -KIESA dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar- SIDA.

Gjatë kësaj nate u prezantua edhe video promovuese ‘‘Made in Kosova’, ku  me anë të kësaj videoje u përçua mesazhi se Kosova ka personalitete që tashmë kanë bërë emër edhe jashtë kufijve të vendit, dhe me të arriturat e tyre na bëjnë të mburremi me ta në të gjithë botën. Videoja ka në fokus vlerësimin e personaliteteve të rëndësishme të Kosovës nga fusha të ndryshme të veprimit, të cilët me punën dhe përkushtimin e tyre kanë dhënë kontribut të çmuar në promovimin e vlerave të Kosovës.

Gala Mbrëmja ‘Made in Kosova’ bashkoi biznese, përfaqësues të institucioneve shtetërore, përfaqësues nga institucionet ndërkombëtare, personazhe të rëndësishme nga kultura si dhe akterë të tjerë relevant që gjithë këto vite kanë punuar për promovimin e Kosovës.

Në një fjalë rasti, për fushatën “Made in Kosova”, presidenti Thaçi ka thënë se ajo po e informon blerësin në Kosovë, por edhe jashtë Kosovës, për prodhimet tona, për cilësinë e tyre dhe për mundësitë që ofron Kosova. Presidenti Thaçi ka shtuar se kur e krahasojmë të sotmen me atë ku ishim para dy dekadave, duhet të jemi krenarë me të arriturat tona. “Kemi përpiluar ligje dhe po forcojmë sundimin e ligjit, që të mbrojmë investitorët dhe bizneset. Kemi ndërtuar rrugë e autostrada. Javën e kaluar u finalizua marrëveshja për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, që do të sjellë mbi 1 miliardë euro investime të drejtpërdrejta, stabilitet energjetik dhe vende të reja pune. Kjo do të reflektojë pozitivisht në tërë ekonominë e vendit, por edhe në imazhin e Kosovës”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Ndërkaq zëvendëskryeministri i Kosovës, z.Fatmir Limaj tha se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë fuqishëm të ndërtojë partneritet me ndërmarrësit vendor, por ai po ashtu shtoi se ky partneritet në vete ka edhe përgjegjësi, që sipas tij, nënkupton që të gjithë të punojnë konfrom rregullave dhe ligjeve, duke respektuar interesin privat dhe publik. Zëvendëskryeministri Limaj tha se Qeveria e Kosovës do të shfrytëzojë të gjitha kapacitete për të stimuluar prodhimin vendor.

E ministri i financave, z.Bedri Hamza tha se Qeveria e Kosovës vazhdimisht merr vendime të rëndësishme e që shkojnë në favor të biznesit prodhues, duke vendosur që të bëjmë plotësim-ndryshimin e ligjeve më të rëndësishme që e rregullojnë fushën e biznesit, siç është kodi i doganave dhe akcizës, ligji për TVSH-në, ligji në tatim dhe Ligji për Administratën Tatimore.

Ndërkaq, kryetari Klubit të Prodhuesve të Kosovës, z. Astrit Shabani, theksoi që KPK përmes kësaj fushate dëshiron të tregojë që në Kosovë punohet dhe që Kosova ka shumë individë dhe institucione që janë duke kontribuar pozitivisht në imazhin dhe zhvillimin e Kosovës. Ai siguroi në emër të prodhuesve që ”do të vazhdojmë të kontribuojmë në zhvillimin ekonomik të vendit tonë, e këtë do ta bëjmë me punë së bashku me ju të gjithëve.”

Kurse, drejtori ekzekutiv i Klubit, z.Astrit Panxha, tha që brendi ‘Made in Kosova’ duhet të shikohet si një brend bashkues i muzikës, artit si dhe prodhimeve të Kosovës. “Suksesi i ‘Made in Kosova’ duhet të ndërlidhet me suksesin e zhvillimit të Kosovës si shtet, dhe sa më shumë ta përdorim këtë brend aq më shumë do të kemi zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.”

Gjithashtu, në këtë mbrëmje u ndan çmimet ‘Zemra e Kosovës’, çmim ky i cili tashmë është bërë tradicional dhe ndahet nga KPK për personat, ndërmarrjet  dhe institucionet që kanë promovuar dhe do të promovojnë kampanjën ‘Made in Kosova’. Çmimet u ndan në dy kategori, Ambasadorët ‘Made in Kosova’ çmim ky që iu nda personaliteteve të respektueshme në vend, të cilët përgjatë një viti do ta promovojnë në forma të ndryshme brendin ‘Made in Kosova’. Ambasadorët e këtij viti të ‘Made in Kosova’ janë zj.Nexhmije Pagarusha, Përparim Rama, Besim Dina, Toger Manushaqe Nura, Krenare Rugova, Medina Surdulli, Përfaqësuesja e Kosovës në Basketboll, BONEVET si dhe Ramë Lahaj.

Ndërsa, mirënjohje për kontributin e dhënë për promovimin e produkteve ‘Made in Kosova’ apo vlerave vendore, qofshin brenda apo jashtë Kosovës, u nda për Qeverinë e Republikës së Kosovës, kompaninë Adelina Graoss, ambasadorit z.Shpend Kallaba, z.Milot Hasimja, zj.Sytrime Dërvisholli, dhe SOMA Book Station.

Mbrëmja përfundoi me muzikë kualitative shqiptare, nën shoqërimin e orkestrës “Pirollo”, të cilët ishin të pranishëm gjatë gjithë mbrëmjes.