Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka bërë certifikimin e të rinjve të komunës së Gjilanit të cilët kanë përfunduar programin “Trajnimi në Punë”, program ky i cili mbështetet financiarisht nga projekti i USAID, EMPOWER Sektori Privat, në partneritet me Agjencinë Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Sida.

Certifikimi u bë për praktikantët të cilët kanë përfunduar punën praktike në kompaninë “Flexograf” dhe “Fluidi”, në komunën e Gjilanit.  Përfituesit e këtij programi patën mundësinë që të trajnohen në vendin e punës përmes angazhimit direkt në kompanitë në të cilat kanë aplikuar.

Programi për Trajnimin në Punë ka për qëllim të mobilizojë kompanitë në sektorin privat që të angazhohen në mënyrë më aktive në trajnimin e të rinjve dhe aftësimin e tyre profesional. Praktikantët kanë përfituar nga një program trajnimi i kualifikuar dhe i strukturuar për nevojat e tregut të punës, dhe disa prej praktikantëve të cilët kanë treguar zotësi edhe janë punësuar në kompanitë ku kanë kryer praktikën.

Vllaznim Osmani nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, falënderoi USAID- Empower Sektori Privat për mbështetjen e këtij projekti, po ashtu edhe kompanitë prodhuese të cilat kanë shprehur gatishmërinë që të jenë pjesë e programit dhe të mundësojnë punën praktike për të rinjtë e komunës së Gjilanit.

Ndërsa, Berat Mustafa pronari i kompanisë Flexograf, u shpreh i kënaqur me punën e praktikantëve të cilët ishin pjesë e programit dhe përfunduan punën praktike në këtë kompani. “Jemi të kënaqur me punën që këta të rinj kanë treguar, ku disa prej tyre tashmë kanë fituar edhe kontrata të rregullta të punës, shpresojë që ky program do të ju hap dyert edhe më tutje në karrierë. Me njohuritë që këta i kanë fituar nuk e shoh që do të kenë ndonjë pengesë” u shpreh ai.