Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka bërë certifikimin e të rinjve të komunës së Hanit të Elezit dhe Kaçanikut, të cilët kanë përfunduar programin “Trajnimi në Punë”, program ky i cili mbështetet financiarisht nga projekti i USAID, EMPOWER Sektori Privat, në partneritet me Agjencinë Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Sida.

Certifikimi u bë për praktikantët të cilët kanë përfunduar punën praktike në kompaninë “Sharrcem” në komunën e Hanit të Elezit, si dhe praktikantët që kanë përfunduar punën praktike në kompaninë “Oxa Group”, në komunën e Kaçanikut.  Përfituesit e këtij programi patën mundësinë që të trajnohen në vendin e punës përmes angazhimit direkt në kompanitë në të cilat kanë aplikuar.

Programi për Trajnimin në Punë ka për qëllim të mobilizojë kompanitë në sektorin privat që të angazhohen në mënyrë më aktive në trajnimin e të rinjve dhe aftësimin e tyre profesional. Praktikantët kanë përfituar nga një program trajnimi i kualifikuar dhe i strukturuar për nevojat e tregut të punës, dhe disa prej praktikantëve të cilët kanë treguar zotësi edhe janë punësuar në kompanitë ku kanë kryer praktikën.

Vllaznim Osmani nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, falënderoi USAID- Empower Sektori Privat për mbështetjen e këtij projekti, po ashtu edhe kompanitë prodhuese të cilat kanë shprehur gatishmërinë që të jenë pjesë e programit dhe të mundësojnë punën praktike për të rinjtë e komunës së Hanit të Elezit dhe Kaçanikut. Gjithashtu edhe komunat të cilat pa hezitim kanë ndihmuar në implementimin e këtij programi.

Nënkryetari i komunës së Hanit të Elezit, z. Mallzum Qajani shprehu kënaqësinë që një program i tillë është duke u implementuar në këtë komunë, ku nevojat për punësimin e të rinjve janë të mëdha. Ai falënderoi Klubin e Prodhuesve, donatorët, kompanitë të cilat janë partnere por edhe praktikantët të cilët ishin pjesë e programit, duke shpresuar që kjo përvojë e punës do të jetë hapi i parë drejtë karrierës së tyre.