Synimi i kësaj tryeze ishte promovimi i ndryshimeve dhe avancimeve organizative të ndërmarrjeve përmes zbatimit të parimeve dhe instrumenteve të qeverisjes korporative në industrinë e ushqimit, drurit, dhe Teknologjisë Informative dhe Komunikimit (TIK).
Gjatë fjalës së tij, Astrit Panxha drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës tha që gjatë viteve të fundit, ka pasur ndryshime të mëdha në strukturimin e kompanive vendore dhe udhëheqjen e tyre. “Në vendit tonë rreth 90% e kompanive janë biznese familjare, por ka shumë kompani të cilat drejtorin ekzekutiv nuk e kanë pjesë të familjes, dhe nuk është pronari i kompanisë. Por ajo që shihet si sfidë është kapitali human, deri sa të kaluarën kishte probleme me kapitalin financiar, kapitali human është sfida e radhës, ku problemi më i madh është në gjetjen e punëtorëve të kualifikuar. Mungesa e njerëzve të kualifikuar e vështirëson kalimin nga një kompani e udhëhequr si biznes familjar në kompani me udhëheqje të strukturuar. Prandaj edhe kompanitë duhet të shohin investimin në trajnime si komponentin kryesor për zhvillim të tyre.” – tha ai.