Klubi i Prodhuesve të Kosovës përmes kësaj komunikate reagon ndaj veprimeve kundërthënëse të Qeverisë së Republikës së Kosovës në lidhje me vendimet për ndërmarrjen e masave të përkohshme mbrojtëse ndaj produkteve të importuara në Kosovë nga shtetet fqinje.

KPK ka mirëpritur vendimin e Qeverisë për marrjen e masave të përkohshme mbrojtëse ndaj produkteve të qumështit nga Bosnja dhe Hercegovina, por cilëson se mos zbatimi i këtij vendimi për tre muaj, në pritje të sqarimit brenda Qeverisë së Republikës së Kosovës- përkundër ekzistimit të praktikave të mëhershme, ka qenë i dëmshëm për prodhuesit vendorë.

KPK gjithashtu shpreh shqetësimin me vendimin për tërheqjen e masave mbrojtëse të përkohshme ndaj shumë produkteve të pemëve dhe perimeve ndaj vendeve fqinje disa ditë pas marrjes së vendimit për aplikimin e këtyre masave. Vazhdimi i këtyre masave për vetëm shtatë produkte përbënë një mbrojtje minimale për prodhuesit vendorë të cilët po pësojnë dëme të pariparueshme.

KPK cilëson se vonimi apo anulimi i vendimeve nuk e ndihmon zhvillimin ekonomik të Kosovës. Këto veprime nuk tregojnë seriozitet karshi kontributit të prodhuesve vendorë dhe përpjekjes së vazhdueshme për arritjen e bilancit tregtar në vend.

KPK i bën apel Qeverisë që çështje të tilla ekonomike t’i adresojë me seriozitet dhe që vendimet për masat mbrojtëse të përkohshme të mos ndryshohen apo anulohen. Krahas detyrës së Qeverisë për krijimin e vendeve të reja të punës qëndron edhe detyra e mirëmbajtjes dhe mbrojtjes së vendeve ekzistuese të punës të cilat vihen vazhdimisht në rrezik të shuarjes.