Klubi i Prodhuesve të Kosovës shpreh reagimin kundrejt gjuhës denigruese ndaj sektorit privat e cila është përdorur në seancën parlamentare.

Për Klubin e Prodhuesve është e papranueshme që një gjuhë e tillë të jetë pjesë e diskursit të përditshëm politik dhe publik, prandaj edhe e kundërshtojmë që një diskurs i tillë të jetë pjesë e asaj që reflekton si kulturë parlamentare.

Duhet që të pranojmë se rritja dhe zhvillimi i sektorit privat është një nga komponentët esencial për zhvillimin e gjithmbarshëm socio-ekonomik të vendit tonë. Ku përveç që promovon zhvillimin ekonomik dhe zbutjen e varfërisë, ai po ashtu kontribuon në krijimin e mundësive për punësim dhe përmirësimin e standardit të jetesës.

Për vite me radhë sektori privat në Kosovë është duke u ballafaquar me mjaft sfida, ku shumë prej këtyre sfidave mbeten ende të pa adresuara, prandaj është e pakuptimtë që parlamenti, si institucioni i cili do të duhej të ishte përkrahësi kryesor i këtij sektori, të përdor gjuhë e cila denigron përpjekjet për zhvillim të qëndrueshëm të këtij sektori.

Klubi i Prodhuesve shpreson që kjo të jetë hera e fundit që një gjuhë e tillë e cila nuk përçon vlera etike e as demokratike të jetë pjesë e diskursit parlamentar, e aq më pak t’i adresohet sektorit privat.