08.08.2018

Sot, Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me USAID EMPOWER – në partneritet me SIDA për fillimin e projektit On the Job Training Program” ( Programi për trajnimin në punë),  program ky që ka për qëllim të motivojë, frymëzojë dhe mobilizojë kompanitë në sektorin privatë që të angazhohen në mënyrë më aktive në trajnimin e të rinjve dhe aftësimin e tyre profesional. Për këtë arsye KPK së bashku me partnerët është duke zhvilluar këtë program i cili është i strukturuar për zhvillimin e aftësive profesionale tek të rinjtë dhe rritjen e mundësisë së punësimit të tyre.

Komunat ku do të fillojë të implementohet ky program janë komuna e Gjilanit, Vitisë, Kaçanikut dhe Hanit të Elezit.  Ndërsa, përfituesit e parë të këtij projekti do të jenë 250 kandidatë nga këto komuna, të cilët do të punësohen tek kompanitë partnere prodhuese të Klubit, ku do të përfitojnë nga një program trajnimi i kualifikuar dhe i strukturuar për nevojat e tregut të punës.

Ky program ka ardhur si nevojë e paevitueshme, ku shumica e raporteve dhe studimeve tregojnë që një numër i madh i të rinjve mbetet joaktiv në tregun e punës dhe që ata  janë duke u përballur me probleme të shumta që të sigurojnë një vend pune, ku si sfidë kryesore është edhe vetë edukimi i tyre dhe trajnimi profesional.

Objektivi i përgjithshëm i këtij projekti është promovimi i përfshirjes sociale të  rinjve të papunësuar nëpërmjet sigurimit të mbështetjes dhe aftësimit profesional të tyre në tregun e punës.

Gjatë javëve në vazhdim Klubi i Prodhuesve të Kosovës do të njoftojë se kur do të hapen edhe aplikimet për pranimin e kandidatëve në secilën komunë në të cilën parashihet implementimi i këtij programi.