08.05.2018

Klubi i Prodhuesve të Kosovës së bashku me disa përfaqësues nga PPSE-në (Promoting Private Sector Employment) vizituan qytetin e Bursës në Turqi, ku patën disa takime të rëndësishme në kuadër të promovimit dhe zhvillimit të sektorit ekonomik në Kosovë.

Gjatë kësaj vizite, ata vizituan qendrën për trajnim profesional “BUTGEM” në Bursa, ku panë nga afër se si funksionon kjo shkollë, se si zhvillohet mësimi dhe kushtet që ofron kjo shkollë për studentët e saj të cilët trajnohen për aftësim profesional dhe përgatiten për tregun e punës. Përfaqësuesit e qendrës për trajnim profesional “BUTGEM” shprehën interesim për bashkëpunim me Klubin e Prodhuesve të Kosovës për trajnimin e studentëve Kosovar në këtë shkollë si dhe shqyrtuan mundësinë që në të ardhmen një shkollë e tillë të hapet edhe në Kosovë.

Gjithashtu gjatë vizitës së tyre në Bursa, ata vizituan edhe Zonën e Organizuar Industriale Demirtaş – DOSAB, ku u takuan me drejtorin udhëheqës të kësaj zone ekonomike në Bursa, z. Mustafa Ateş. Ai ju tregoi se si është e organizuar dhe se si është zhvilluar kjo zonë ekonomike, po ashtu edhe për mënyrën se si kjo zonë ekonomike funksionon. Ai shprehu gatishmërinë që të ju ndihmojë dhe ju ofroi mbështetjen e plotë për ndërtimin e një zone ekonomike të ngjashme edhe në vendin tonë.

Përveç këtyre takimeve, Klubi i Prodhuesve të Kosovës u takua edhe me Konsullin e Nderit të Republikës së Kosovës në Bursa, z.Fahrettin Gülener. Ai i mirëpriti mysafirët nga Kosova dhe së bashku vizituan fabrikën e tij, ERmetal dhe disa fabrika të tjera në zonën industriale të qytetit të Bursës, ku mësuan për kapacitetet e tyre të prodhimit dhe panë nga afër teknologjinë e fundit në prodhim. Z.Fahrettin Gülener, shprehu edhe një herë vullnetin e tij për të kontribuuar në fuqizimin e gjithanshëm të marrëdhënieve dhe shkëmbimeve ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.