Klubi i Prodhuesve, ishin sot në një takim pune me grupin parlamentar të Partisë Demokratike në Kuvendin e Kosovës, përkatësisht me deputet z.Bedri Hamza dhe z. Enver Hoxhaj. Gjatë takimit u diskutua mbi gjendjen e prodhimit në vend dhe për sfidat me të cilat po përballen prodhuesit gjatë kohës së pandemisë, por edhe kërkesat e menjëhershme të tyre për rimëkëmbje nga kjo gjendje.

Kryetari i Klubit të Prodhuesve z.Bashkim Osmani e bëri edhe një herë të ditur rëndësinë që ka pakoja e rimëkëmbjes për prodhuesit vendor dhe kërkoi zgjidhje të menjëhershme të kësaj çështje, pasi që është ekonomia e Kosovës ajo që po dëmtohet dita ditës, e në radhë të parë prodhuesit vendor. Gjatë takimit të dy palët u pajtuan që pakoja ekzistuese duhet të plotësohet me masa shtesë.

Po ashtu gjatë takimit drejtori i Klubit të Prodhuesve z.Astrit Panxha, diskutoi  edhe rreth Rezolutës së Prodhimit, e cila kërkon që sektori i prodhimit të shpallet interes kombëtar. Kjo rezolutë kërkon nga të gjitha institucionet e Kosovës, që të përkrahin ndërmarrjet prodhuese, me qëllim të rritjes së kapaciteteve të tyre. Po ashtu, kërkon që të ritet buxheti për sektorin e prodhimit me qëllim të ofrimit të ndihmës financiare për industrinë e prodhimit.

Klubi i Prodhuesve morri përkrahjen e deputeteve të PDK-së për sa i përket miratimit të rezolutës, dhe njëkohësisht ata u shprehën të gatshëm dhe të hapur për bashkëpunime tjera.