Klubi i Prodhuesve të Kosovës (KPK),  dje organizoi një takim me anëtarët si dhe bashkëpunëtorët e klubit për nder të dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Me këtë rast KPK prezantoi edhe dy anëtarët e rinj të Klubit si dhe zgjodhi anëtarin e nderit të Klubit të Prodhuesve të Kosovës, z. Benedikt Neymeir.

Anëtarët e rinj të cilët ju bashkuan KPK-së janë kompanitë Line Group dhe Oxa Group.

Kompania Line Group është themeluar në vitin 1990 dhe si veprimtari kryesore ka prodhimin e dyerve, dritareve dhe fasadave të jashtme strukturale dhe gjysmë-strukturale. Line Group konsiderohet si një kompani shumë e suksesshme duke u bazuar dhe mbështetur në faktin e përvojës dhe posedimin e një teknologjie mjaft të avancuar bashkëkohore për prodhimin e dyerve dhe dritareve me materiale kualitative. Mundësitë tekniko-teknologjike, kapacitetet e mëdha prodhuese, niveli i lartë profesional i stafit të punës, e bëjnë kompaninë Line Group të vendoset në treg në një pozitë shumë të mirë si dhe të cilësuar lartë në ofrimin e shërbimeve dhe prodhimeve.

Ndërsa, Oxa Group është aksionar i disa kompanive që janë të përfshirë në investime dhe industri të ndërtimit, përpunimit të drurit dhe industrisë së prodhimit të mobilieve, arsimit, industrisë së telekomunikacionit, prodhimit të bizhuterive dhe shitjes me pakicë dhe shumicë. Oxa Gruop është themeluar nga familja Hoxha, ku në vitin 2003, familja krijoi shkollën e parë private dhe të mesme Shkolla Amerikane e Kosovës, e cila ishte një zbulim i madh në biznesin privat. Më pas, filloi të investonte në patundshmëri, ndërtim, prodhim të mobilieve, telekomunikacion dhe teknologji informacioni. Pasi u rrit me shpejtësi në pothuajse të gjitha industritë, familja Hoxha vendosi të krijonte një kompani, Holding Oxa Group, që mbikëqyr të gjitha aktivitetet administrative dhe operacionale të të gjitha kompanive brenda grupit.

Përveç anëtarëve të rinj, u prezantua edhe Benedikt Niemeyer si anëtari i nderit i Klubit të Prodhuesve të Kosovës. Benedikt Niemeyer aktualisht është këshilltar në kompaninë Niemeyer Capital Management. Kompani kjo e cila është e specializuar për konsulencë në industrinë e çelikut, metaleve dhe investimeve të mallrave, si dhe në  menaxhimin dhe zhvillimin e teknologjisë. Arritjet e tij kryesore janë në grupin Schmolz + Bickenbach, kompani e cila është e listuar në bursë dhe është rritur shumë që nga viti 2002 nga një kompani rajonale me një prani të vogël të tregut në një lider botëror në fushën e çelikut. Gjatë kohës kur Niemeyer ishte pjesë e kompanisë, shpenzimet totale për blerje dhe investime gjatë viteve 2005 – 2008 ishin përafërsisht 1,050 milion €.

Qëllimi i KPK-së është nxitja e diskutimit dhe bashkëpunimit në mes anëtarëve të klubit dhe institucioneve shtetërore dhe private për fuqizimin dhe promovimin e prodhimeve vendore si dhe vetëdijesimin e  qytetarëve për kualitetin e prodhimeve vendore. Në të ardhmen, klubi do të bëjë anëtarësimin edhe të prodhuesve tjerë, në përputhje me statutin e klubit.