24.11.2017

Sot u mbajt konferenca “Furnizimi me energji i sektorit të Prodhimit në Kosovë: Energjia e Ripërtrishme?”, konferencë kjo e organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës në bashkëpunim me projektin e USAID-it EMPOWER Sektori Privat ne partneritet me Sida, dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.
Një nga faktorët kryesorë të zhvillimit ekonomik të vendit dhe forcimit të sektorit të prodhimit është siguria e furnizimit me energji elektrike. Duke pasur parasysh që zhvillimi i një sistemi të qëndrueshëm të energjisë kërkon kohë, vendimet e drejta për të ardhmen e sektorit të energjisë duhet të merren shumë më herët.

Problemi i furnizimit me energji elektrike është shumë i pranishëm në prodhimin vendor. Furnizimi i dobët dhe i parregullt, ndërprerjet e shpeshta ndikojnë seriozisht në konkurrueshmërinë e sektorit prodhues. Rrjedhimisht, në konferencë u diskutua për energjinë e ripërtërishme si një mënyrë e zgjidhjes së problemit të furnizimit me energji për sektorin e prodhimit.
Panelistë në këtë konferencë ishin Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, z.Valdrin Lluka – Ministër i Zhvillimit Ekonomik, z.Luigi Brusa – Udhëheqës i Seksionit për Bashkëpunim- Zyra e BE-së, z.Anes Jusic – Sektori për Energji, Zyra Qendrore- BERZH si dhe Astrit Shabani- Kryetar i Klubit të Prodhuesve të Kosovës.

Konferencën e hapi drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, z.Astrit Panxha i cili vlerësoi se situata është mjaft kritike. “Sipas analizave të ndryshme del se humbjet vjetore të prodhuesve vendor si rrjedhojë e ndërprerjes së energjisë elektrike apo cilësisë së dobët të energjisë janë rreth 300 milion euro. Do të thotë, prodhuesit vendorë çdo euro të fituar në eksport e shpenzojnë për t’i mbuluar humbjet nga energjia elektrike. Ndoshta ky është edhe një nga indikatorët pse kemi këtë bilanc negativ tregtar. Në vend që prodhuesit të investojnë 300 milion euro në prodhim, dhe të jenë më konkurrent, ata me këto mjete duhet t’i mbulojnë humbjet nga energjia elektrike”deklaroi z. Panxha.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, në fjalën e tij foli për angazhimet e Qeverisë së Kosovës për të zhvilluar dhe fuqizuar më tej sektorin privat në Kosovë. Ai cilësoi se Kosova ka emergjencë për rritjen e kapaciteteve të ripërtrishme gjeneruese dhe mirëmbajtjen e atyre ekzistuese. Ai siguroi se Qeveria do të jetë partner i pëhershëm për sektorin e prodhimit sa i përket furnizimit me energji dhe kësisoj çështja e furnizimit me energji elektrike do të jetë prioritet dhe do të trajtohet me kujdes.

Pjesë e panelit ishte edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, z.Valdrin Lluka. Ai shprehu gatishmërinë për përmirësimin e situatës aktuale dhe bëri të ditur që prej vitit të ardhshëm do të miratohet ligji për efiçiencë të energjisë. Pjesë e këtij ligji, sipas Ministrit Lluka do të jetë edhe Themelimi i Fondit për energji të qëndrueshme. Ai poashtu shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me bankat vendore për zhvillimin dhe financimin e energjisë së ripërtërishme.

Ndërsa, z.Luigi Brusa – Udhëheqës i Seksionit për Bashkëpunim nga zyra e BE-së bëri të ditur se Kosova është në rrugë të drejtë të krjimit të Strategjisë për Energji të qëndrueshme mirëpo theksoi nevojën për transparencë përgjatë këtij rrugëtimi.
Z. Anes Jusic, përfaqësues nga BERZH, u shpreh që sfidat në këtë proces janë të mëdha por kemi plane dhe ide konkrete që të përkrahim sektorin privat që më në fund vendi të shoh investime në energjinë efiçiente. Ai shprehu se qeveria duhet të jep sinjale të qarta për marrjen përsipër të një pjese të investimeve.

Gjatë konferencës përfaqësuesit e bizneseve patën rastin që t’i shprehin shqetësimet rreth zhvillimit të aktiviteteve të tyre biznesore, ku theksuan që mungesa e energjisë elektrike vazhdon të jetë një ndër barrierat kryesore për bizneset në Kosovë. Sfida të tjera që u përmenden janë investimi në energji të qëndrueshme, ulja e tarifave si dhe kërkuan anashkalimin e humbjeve në energji. Ata po ashtu u shprehën të gatshëm që të në të ardhmen të investojnë më shumë në energjinë e ripërtërishme.