05.02.2018

 

Sot u mbajt konferenca e përbashkët në mes të Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë dhe Forumit Ekonomik të Prodhuesve Kombëtar Shqiptarë, për heqjen e barrierave tarifore dhe jotarifore, për qarkullimin e lirë tregtar dhe ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Pjesëmarrës në konferencë ishin edhe  Zëvendëskryeministri z.Fatmir Limaj dhe Ministri i Tregtisë z. Bajram Hasani.

Përfaqësuesit e tri organizatave biznesore u mblodhën për të adresuar kërkesat specifike drejtuar qeverive përkatëse të Kosovës dhe Shqipërisë, lidhur me problematikat që prodhuesit kombëtare të dy shteteve (Kosovë dhe Shqipëri), hasin gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre.

Drejtori i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, z. Astrit Panxha, i cili edhe e hapi konferencën  tha se ka një rritje të shkëmbimit tregtar në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas tij, Kosova ka 50 milionë euro eksport në Shqipëri, por siç tha ai krahasuar me potencialin, ky është një volum ende i ulët. Ai njëkohësisht ftoi Qeverinë e Kosovës dhe atë të Shqipërisë që të implementojnë marrëveshjet e arritura deri më tash. “Dy qeveritë kanë nënshkruar 15 marrëveshje deri më sot, por kjo nuk po reflektohet në lehtësimin e plasimit të prodhimeve të Kosovës në Shqipëri, për në tregun e Shqipërisë, duhet të jetë vazhdimësi e tregut të Kosovës”, theksoi z.Panxha.

Presidenti i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptar, z.Filip Gjoka, shtroi rëndësinë që ka implementimi i këtyre marrëveshje në shtrimin e një klime të përshtatshme për të bërit biznes për të dyja vendet.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Kosovës, z.Fatmir Limaj bëri të ditur se nuk do të mungojë mbështetja institucionale për prodhuesit e të dyjave vendeve. Ai tha se për Kosovën dhe Shqipërinë është një lajm i mirë që dy promotorët e dy vendeve po bëjnë presione pozitive në drejtim të zhvillimit të ekonomisë të të dyja vendeve. Limaj shtoi se “Sikurse Qeveria e Kosovës, ashtu edhe ajo e Shqipërisë e kanë për detyrë që të mbështesin krijimin e një partneriteti të fuqishëm të bizneseve, dhe se të dyja vendet duhet të heqin të gjitha taksat.”

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë,  z. Bajram Hasani bëri të ditur se bilanci tregtar në mes Kosovës dhe Shqipërisë është 3 me 1, ku Kosova i eksporton Shqipërisë vetëm 50 milionë, ndërsa kjo e fundit i eksporton Kosovës rreth 150 milionë.

“Ne jemi duke punuar shumë si ministri që produktet të jenë sa më cilësore edhe për tregun evropian. Është lajm i mirë që dy prodhuesit andej dhe këndej kufirit kanë rënë dakord mes vete.  Ne do t’i rrimë krah prodhuesit tonë aty ku na lejon ligji, duke ndihmuar edhe zhvillimin ekonomik të vendit. Jemi duke punuar që sa më shpejt të procedojmë ligjin për tregti të brendshme”, tha ai.

Kërkesat e përfaqësuesve të tri organizatave biznesore ju dorëzuan zëvendëskryeministrit të Republikës së Kosovës z.Fatmir Limaj në fund të konferencës.