Sektori i prodhimit në Kosovë është një nga forcat lëvizëse kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit tonë, duke kontribuar vazhdimisht në rritjen e ekonomisë si dhe në krijimin e vendeve të reja të punës. Për shumë vite, sektori i prodhimit ka hasur në shumë sfida serioze që kanë ndikuar në fuqizimin e tij. Për t’i adresuar këto probleme dhe jo vetëm, por edhe për të ofruar zgjidhje të mundshme për sektorin e prodhimit, Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka bërë organizimin e Konventës së Parë të Prodhuesve.

Konventa e Parë e Prodhuesve të Kosovës u mbajt me 29 dhe 30 Nëntor 2018, në Hotelin Emerald, në Prishtinë.

Pjesëmarrës në konventë ishin kompani nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, dhe kjo konventë u shfrytëzua si platformë për diskutim ku u shqyrtua tregtia në mes Kosovës dhe shtetet e rajonit si dhe bashkëpunimi ekonomik i përgjithshëm në mes këtyre shteteve.

Mbajtja e Konventës së Prodhuesve të Kosovës u bë e mundur falë mbështetjes së Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ndërsa u sponsorizoua nga Projekti për Rritjen e Punësimit për të Rinj- EYE, Deloitte Kosova, Banka  Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim – BERZH, ProCredit Bank, USAID EMPOWER Private Sector dhe projektit për Promovimin e  Punësimit në Sektorin Privat (PPSE). Partner këta që me punën e tyre në vazhdimësi kanë përkrahur sektorin e prodhimit në Kosovë.

Qëllimi kryesor i Konventës së Prodhuesve është fuqizimi i sektorit të prodhimit dhe promovimi i produkteve “Made in Kosova”. Rritja e qasjes së këtyre produkteve në tregjet e huaja si dhe qasja në edukim dhe aftësimi profesional i të rinjve ishin temat kryesore të kësaj konvente të cilat u zhvilluan nëpërmjet sesioneve të ndryshme të kësaj konvente.

Pjesëmarrës në këtë konvente ishin prodhuesit dhe përfaqësuesit e bizneseve, përfaqësuesit e qeverisë dhe institucioneve shtetërore, përfaqësuesit e organizatave jo-qeveritare, donator të ndryshëm dhe përfaqësues të ambasadave të akredituara në Kosovë.

Në hapjen e kësaj Konvente, në mesin e të pranishmëve ishte edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës -z.Ramush Haradinaj, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë – z.Endrit Shala, dhe Ministri i Financave – z. Bedri Hamza, të cilët iu drejtuan audiencës dhe treguan mbështetjen e tyre për prodhuesit e Kosovës dhe produktet vendore.