Anëtari i Klubi i Prodhuesve të Kosovës, S//SPRINT dje bëri hapjen e pikës së parë të shitjes së veshmbathjeve sportive në Prishtinë, veshmbathje këto të cilat janë prodhim ‘Made in Kosova’.

Ky dyqan super modern vjen i kompletuar sipas standardeve të fundit dhe ka karakteristikë kryesore veshjet të cilat janë unike për nga dizajni dhe me kualitet të garantuar.

Kjo kompani, është prodhues i veshjeve sportive i cili filloi aktivitetin në vitin 2012 dhe vazhdon të prodhojë produkte kualitative dhe gjithnjë të zgjerojë kapacitet prodhuese të veshjeve sportive në tërë vendin. Me rritjen e kapaciteteve prodhuese kjo kompani në vazhdimësi po kontribuon edhe në rritjen e numrit të të punësuarve. Vetëm në këtë pikë të shitjes do të jenë të punësuar 10 punëtorë.

Të pranishëm në hapjen e kësaj pike ishin mbështetës dhe përkrahës të kompanisë, miq dhe familjarë të familjes Sopa. Gjatë fjalimit të ceremonisë së hapjes, z. Sami Sopa njëherazi edhe pronari i kompanisë, i falënderoi të pranishmit për prezencë dhe i falënderoi të gjithë për mbështetje gjatë këtyre viteve. Ai shprehu se kompania nuk do të ndalet me kaq, planet do të vazhdojnë me hapjen e pikave tjera të cilat do të kontribuojnë me vende të reja të punës dhe zgjerimin e kapacitetit prodhues të veshjeve sportive në vend. “Fabrika e veshjeve sportive ka startuar me vetëm 6 punëtorë dhe pas pranimit të produkteve tona në treg si mjaft cilësore, kemi rritur kapacitetet, e po ashtu edhe numrin e punëtorëve si dhe kemi zgjeruar objektin. I falënderojë të gjithë për mbështetjen dhe falënderojë të gjitha gratë të cilat punojnë çdo ditë me përkushtim në fabrikën në Podujevë”- u shpreh ai.

Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha shpreh kënaqësinë që dita ditës po rritet prodhimi si dhe konsumimi i produkteve ‘Made in Kosova’. Prodhuesit vendor po kontribuojnë në zgjerimin e ganës së produkteve të prodhuara në Kosovë, produkte këto të cilat janë importuar në masë të madhe nga jashtë. Sipas Panxhës vetëm në këtë mënyrë fuqizojmë sektorin e prodhimit dhe arrijmë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik i cili drejtpërdrejt ndikon në mirëqenien e qytetarëve të vendit tonë.

Ndërsa, Safet Gërxhaliu nga Oda Ekonomike e Kosovës shprehu falënderimin ndaj S//SPRINT-it  për kontributin që po jep në rritjen e numrit të punësuarve, ku kjo fabrikë ka të punësuar mbi 100 punëtorëve. Po ashtu ai falënderoi USAID-in për ndihmën që ju ka dhënë kësaj kompanie si dhe tërë prodhuesve tjerë në zhvillimin ekonomik të vendit.