Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, kanë premtuar përkrahje pa rezervë dhe të gjithanshme  për prodhuesit vendor dhe sektorin privat të Kosovës. Me rastin e nisjes së fushatës për promovimin e prodhimeve vendore, të organizuar dje nga Klubi I Prodhuesve të Kosovës, Veseli dhe Bajrami apeluan tek qytetarët e Kosovës që të konsumojnë prodhimet vendore, të cilat janë cilësore, konkurruese me të gjitha produktet që vijnë nga importi, madje edhe më cilësore se ato, ndërkohë që me rritjen e konsumit të prodhimeve vendore nxitet zhvillimi ekonomik në vend dhe mirëqenia në komunitet.

Ceremoninë e organizuar me rastin e nisjes së fushatës ”Made in Kosova”, e hapi Drejtori Ekzekutiv i Prodhuesve të Kosovës (KPK), Astrit Panxha, ndërsa Kryetari i KPK-së Visar Kelmendi theksoi me këtë rast se po e lansojme fushatën “Made in Kosova” për të treguar se Kosova di dhe do të prodhojë, për të treguar se “kemi produkte cilësore dhe për të kuptuar se edhe produkti i prodhuar këtu në këtë vend ka cilësi dhe ka vlerë”. “Ne jemi këtu sot me familjet tona jo pa qëllim, me shumë qëllim jemi këtu për të treguar se ne  dhe familjet tona  duam për të jetuar këtu, për të prodhuar dhe konsumuar këtu. Kelmendi tha se aktualisht jemi nëntë anëtarë të Klubit të Prodhuesve të Kosovës, por shumë shpejtë fuqizohemi edhe më shumë, do të bëhemi 13 anëtarë për të vazhduar rritjen edhe më”, tha Kelmendi.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Hykmete Bajrami theksoi se fushata “Made in Kosova” nuk i kushtohet vetëm nëntë anëtarëve, por të gjithë prodhuesve vendor, të cilët, siç i cilësoi ajo, janë heronjtë e sotshëm të vendit. Ajo tha se produktet e Kosovës janë cilësore, madje edhe më cilësore se shumë produkte të importuara. Qeveria e Kosovës, tha ajo,  ka përkrahur dhe do të vazhdojë të përkrah prodhuesit vendor dhe sektorin privat të vendit. Ministrja Bajrami ka apeluar të të gjithë qytetarët e vendit për të përkrahur prodhuesit vendor, në radhë të parë duke konsumuar sa më shumë produkte vendore.

Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, duke iu drejtuar pjesëmarrësve tha se jemi në një situatë  jo edhe aq të mirë ekonomike, kemi bilanc jo të favorshëm tregtar, jemi vend konsumator që ende importojmë shumë. Nuk do ta kishim këtë situatë po të kishim zhvillim më të fuqishëm ekonomik dhe po të  kishim një situatë më të  mirë sociale dhe ekonomike.

Kryeparlamentari Veseli në vazhdim premtoi përkrahje të plotë dhe të gjithanshme për prodhuesit vendor. Do të keni përkrahje të fuqishme, do t’u përkrahim edhde me ndryshimet ligjore në favor të prodhuesve vendor, tha ai, duke shtuar se heronj të Kosovës janë ata që prodhojnë dhe punësojnë dhe jo ata që manipulojnë dhe keqpërdorin emrin e UÇK-së.