Mbahet konferenca “Perceptimi i Konsumatorëve për Prodhimet  Vendore” e organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës

Prishtinë, 22 shkurt – Shumica e respondentëve (rreth 60 për qind) të anketës “Përceptimi i Konsumatorëve për Prodhimet Vendore”, të realizuar me porosi të Klubit të Prodhuesve të Kosovës, e vlerësojnë origjinën e produkteve të cilat i konsumojnë, ndërsa 76 për qind e tyre u besojnë më shumë produkteve vendore. Sipas kësaj ankete, 65 për qind të konsumit të respondetëve (1064 respondentë të anketuar) e përbëjnë prodhimet vendore, ndërsa 35 për qind prodhime nga importi.

Kështu u tha në konferencën për prezantimin e rezultateve të anketës “Perceptimi i Konsumatorëve për Prodhimet  Vendore”, e iniciuar  nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës (KPK) dhe e realizuar nga NOVUS Consulting, e cila u mbajt në Hotelin “Nartel” në Prishtinë. Konferenca u organizua nga KPK mbështetur nga partnerët në kuadër të fushatës Made in Kosova.

Hapjen e Konferencës e kanë bërë përfaqësuesit e KPK-së Astrit Panxha, Drejtor Ekzekutiv dhe Visar Kelmendi, Kryetar i KPK-së. Prezantimi i rezultateve të anketës është bërë nga Agon Nixha, përfaqësues i NOVUS Consulting. Ndërsa paneli i konferencës ishte në përbërje: Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë,  Hykmete Bajrami, anëtari i Bordit Ekzekutiv të RTV 21, Eugen Saraçini, Drejtori Ekzekutiv i KIESA, Besian Mustafa dhe Drejtoresha Ekzekutive e Red Mill, Erëza Vela Berisha.

Me këtë rast Visar Kelmendi, Kryetar i KPK-së tha se qëllimi i këtij hulumtimi ka qenë që të shihet se pse, edhe pas 16 vitesh, produktet e importit e dominojnë shportën e konsumatorit kosovar, përkundër faktit se prodhimet vendore janë cilësore, madje në raste jo të rralla edhe më kualitative se ato të importuara. “Fushata “Made in Kosova”   ka për qëllim ta vë në pah se pse duhet të konsumojmë produkte vendore. Përmes këtij hulumtimi dëshirojmë të dimë se kah duhet ta orientojmë këtë fushatë, pasi është shumë e rëndësishme për mua si prodhues ta njoh strukturën e konsumatorëve dhe nevojat e tyre”, ka thënë Kelmendi.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, fillimisht ka përshëndetur themelimin e Klubit të Prodhuesve të Kosovës, siç vlerësoi ajo, si partner të rëndësishëm në politikëbërje dhe si shtytës për një koordinim më të mirë mes prodhuesve vendor. Ajo ka përmendur reformat legjislative që ka ndërmarrë MTI në ndihmë prodhuesve vendor, përkrahjen e tyre në panairet ndërkombëtare, udhëzimin administrativ për pushime tatimore si dhe funksionalizimin e zonave industriale.

“Ne si institucione duhet t’iu bëjmë të qartë qytetarëve se është konsumi i prodhimeve vendore faktori që ndikon direkt në zhvillim ekonomik dhe rritjen e punësimit”, tha me këtë rast Bajrami.

E gjetur më rëndësi e këtij hulumtimi u vlerësua edhe televizioni si mjeti kryesor i informimit për prodhimet vendore dhe pastaj rrjetet sociale, ndërsa duke u fokusuar në këtë çështje panelisti Eugen Saraçini nga TV 21 tha se të dhënat që dalin nga ky hulumtim dëshmojnë më se miri sesa i rëndësishëm është televizioni për promovimin e produkteve vendore. Sipas tij, vetëm marketingu mund të ndikojë në rritjen e konsumit të produkteve, ndërsa ka kërkuar edhe përfshirjen e institucioneve inspektuese.

Nga ana tjetër, Drejtori Ekzekutiv në KIESA, Besian Mustafa, po ashtu panelist nw kwtw konferencw, ka thënë se promovimi nuk është i lehtë, por e ka vlerësuar lartë fushatën “Made in Kosova”, të ndërmarrë nga Klubi i Prodhuesve Kosovar. Ai ka shtuar se puna që po bënë Klubi e promovon Kosovë si brend dhe është shumë më rëndësi posaçërisht për tregjet e huaja. “Qëllimi jonë si KIESA është programi pesë vjeçar që kemi për t’iu ndihmuar prodhuesve vendor në certifikimin e produkteve të tyre, në mënyrë që ta kenë më të lehtë plasimin e produkteve në tregjet jashtë vendit”, tha Mustafa.

Erëza Vela Berisha, Drejtoreshë Ekzekutive e Red Mill, theksoi se problemi më i madh i prodhuesve vendor është çështja e marketingut. Sipas saj, bizneset në Kosovë janë kryesisht familjare dhe mungon qeverisja korporative apo aplikimi i mirëfilltë i procedurave në menaxhimin e kompanisë.

Agron Nixha duke paraqitur rezultatet e anketës theksoi se qëllimi i anketës ka qenë sigurimi i të dhënave rreth pikëpamjeve dhe sjelljeve të qytetarëve të Kosovës ndaj prodhimeve vendore. Për të siguruar rezultate reprezentative anketa ka përfshirë zonat urbane dhe rurale dhe të gjitha strukturat demografike në Kosovë. Sipas anketës, 60 për qind e respodentëve deklarojnë se konsumi i prodhimeve vendore është rritur (dukshëm ose deri diku) në krahasim me vitin e kaluar ndërsa arsyeja primare e atyre që blejnë prodhimeve vendore është patriotizmi, kurse e atyre që nuk blejnë prodhime vendore është cilësia e ulët. Prej prodhimeve vendore sipas anketës respondentët konsumojnë më se shumti produkte ushqimore dhe ujë, ndërsa më se paku pije alkoolike dhe produkte të ndërtimtarisë. Ndonëse përgjithësisht respodentët kanë përshtypje të mirë për prodhimet vendore shumica (61 për qind) megjithatë sugjerojnë se cilësia duhet të përmirësohet. Rreth një e treta e respodentëve besojnë se Qeveria e Kosovës dhe institucionet ndërkombëtare deri diku i mbështesin prodhimet vendore. Shumica dërrmuese e të anketuarve (98 për qind) mendojnë se konsumi i prodhimeve vendore përmirëson zhvillimin ekonomik të vendit dhe se ka më së shumti ndikim në përmirësimin e punësimit.

Në debatin gjithëpërfshirës debatuan edhe shumë pjesëmarrës nga prodhuesit vendor dhe organizatat joqeveritare. Mergim Prishtina, drejtor i Fabrikës se Barnave “Trepharm”  kërkoi nga Qeveria e Kosovës që ta rregulloj tregun pasi vetëm kështu do të krijojë kushte të barabarta për të gjithë. “Ne nuk po kërkojmë nga Qeveria t’i përkrahë prodhuesit, por ta rregulloj tregun. Duke e rregulluar tregun iu ndihmon edhe prodhuesve”, ka thënë Prishtina.

Siç dihet, tashmë Klubi i Prodhuesve të Kosovës (KPK) ka iniciuar fushatën vetëdijësuese Made in Kosova dhe ka për synim strategjik vetëdijesimin e konsumatorëve për rëndësinë e konsumit të prodhimeve vendore. Fushata Made in Kosova është zgjedhur si metodë për të komunikuar drejtpërdrejt me qytetarin për të përçuar këtë mesazh. Pjesë e aktiviteteve të fushatës është hulumtimi “Për Perceptimin e Konsumatorit për Prodhime Vendore”. Gjithashtu, nga KPK do të jepet perspektiva e prodhuesve vendor të Kosovës.