Sot, Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, z. Besim Beqaj ka vizituar Klubin e Prodhuesve të Kosovës për një bashkëbisedim në lidhje me mundësitë e bashkëpunimit mes kësaj Ministrie dhe KPK-së në shërbim të zhvillimit të mëtutjeshëm të sektorit privat dhe prodhuesve në Kosovë.

Drejtori ekzekutiv i KPK-së, z. Astrit Panxha, në emër të të gjithë anëtarëve të Klubit i uroi mirëseardhje Ministrit Beqaj dhe bëri një shpalosje të përgjithshme të aktiviteteve dhe projekteve në të cilat Klubi është i angazhuar. Ai theksoi fokusin e KPK-së në aktivitetet dhe projektet e trajnimeve të burimeve njerëzore të cilat rrisin dijet dhe kapacitetet e konkurrueshmërisë dhe në ato të gjetjes së tregjeve që do të mundësonin rritjen e eksportit për prodhuesit vendorë. Të gjitha këto aktivitete emërues të përbashkët kanë shfrytëzimin e teknologjisë inovative në procesin e promovimit të produkteve Made in Kosova dhe rrjedhimisht avancimin ekonomik të vendit.

Ministri Beqaj shprehi gatishmërinë e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë për përkrahjen e pakursyer për prodhuesit vendorë. Si pjesë e kësaj përkrahjeje është edhe lansimi i Programit për Financim të Startup-eve dhe NVM-ve nga i cili mund të përfitojnë prodhuesit vendorë. Minstri Beqaj gjithashtu prezantoi idenë e themelimit të Qendrës për Inovacion dhe Ndërmarrësi, e cila sipas tij nuk mund të bëhet pa sektorin privat. Ai u shpreh se prodhuesit vendorë janë punëdhënës dhe taksapagues dhe rrjedhimisht kontribuues të mëdhenj në përmirësimin e bilancit tregtar të Kosovës. Ai theksoi faktin që shfrytëzimi i teknologjisë inovative për zhvillimin e sektorit privat është akt vendimtar dhe se Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ka për qëllim që t’u jap impuls zhvillimeve inovative dhe lëvizjes së një ekonomie të dixhitalizuar.

Astrit Shabani, një ndër anëtarët e Klubit të Prodhuesve të Kosovës mirëpriti vizitën e Ministrit Beqaj dhe përkrahjen e tij për prodhuesit vendorë si dhe bëri thirrje për përkrahjen praktike të institucioneve të Kosovës ndaj sektorit privat në vend. Ai shtoi se Ministri Beqaj mund të llogaris tek Klubi i Prodhuesve të Kosovës për çdo aktivitet që ka për qëllim avancimin ekonomik të vendit.

Në anën tjetër, Shaqir Paloshi, anëtar i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, shprehi nevojën e sektorit privat, gjegjësisht prodhuesve në Kosovë për ekspertë dhe burime njerëzore. Sipas tij, trajnimet profesionale janë të domosdoshme në ruajtjen e praktikave biznesore.

Drejtori ekzekutiv i KPK-së, z. Panxha ftoi Ministrin Beqaj që t’i bashkëngjitet në vizitën e fabrikave të prodhuesve vendorë çfarë do të ofronte mundësi për njohje të afërt me një aspekt të sektorit privat në Kosovë. Ministri pranoi ftesën me kënaqësi dhe shtoi se Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ka dyert e hapura për Klubin e Prodhuesve të Kosovës.