16.12.2015

Sot, ministrja Hykmete Bajrami priti në takim Klubin e Prodhuesve të Kosovës. Klubi i porsaformuar i prodhuesve të Kosovës përfshin gjithsej nëntë anëtarë. Anëtarët e Klubit u shprehën mjaft të kënaqur me pritjen dhe përkushtimin e ministres Bajrami për përkrahjen dhe përkushtimin e vazhdueshëm për të përmirësuar politikat ekonomike për avancimin e prodhimit vendor në të gjitha aspektet.

Kërkesat e prodhuesve kryesisht u bazuan në mbrojtjen e prodhimeve vendore krahas ndryshimeve ligjore dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilzim Asociimit. Ata u shprehën të kënaqur me nënshkrimin e MSA-së dhe njëherësh kërkuan nga ministrja Bajrami që sa më shpejtë të përpilojë një platformë për mbrojtjen e prodhimeve vendore dhe ngritjen e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve vendore.

Tre nga qëllimet kryesore të themelimit të këtij klubi, sipas anëtarëve ishin: bashkëpunimi me Qeverinë e Republikës së Kosovës, bashkëpunimi me prodhuesit e tjerë vendorë, si dhe promovimi i prodhimeve vendore dhe cilësisë së tyre përmes kampanjave të ndryshme mediatike dhe formave të tjera, që përfshin vetëdijesimin e qytetarëve për konsumin e produkteve vendore.

Ministrja Bajrami përgëzoi iniciativën e marrë nga prodhuesit vendorë dhe se ajo u zotua se Klubi do të ketë përkrahjen e vazhdueshme, hapësirën e veprimit si palë interesi në politikëbërjen e MTI-së.

Ministrja Bajrami po ashtu shpalosi disa nga aktivitetet që janë ndërmarrë nga MTI-ja në favor të prodhimeve vendore dhe i informoi anëtarët e Klubit për disa nga planet e MTI-së për vitin 2016.  “Do të punojmë me përkushtim të madh në arritjen e lëvizjes së lirë të mallrave dhe mbrojtjen e produkteve vendore duke respektuar normat ndërkombëtare të konkurrencës”, potencoi ministrja gjatë takimit.

Po ashtu, ministrja Bajrami i njoftoi ata se prodhuesit vendorë mund t’i shprehin shqetësimet e tyre edhe në Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik (KKZHE).

Për adresimin i shqetësimeve gjatë aktivitetit biznesor si dhe për barrierat tjera me vendet e rajonit, ministrja Bajrami u shpreh e gatshme të bashkëpunojë në mënyrë të drejtpërdrejtë me prodhuesit vendorë për adresimin e çdo barriere potenciale.