mustafa-mos-ta

Mos të mallkojmë shtetin e Kosovës sepse e kemi bërë këtë shtet që ta zhvillojmë e t’i besojmë dhe kemi qytetarë të cilët e kanë përgjegjësinë e tyre që të japin besimin por edhe të kërkojnë përgjegjësi ndaj atyre që e drejtojnë këtë vend.

Kështu tha kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në inaugurimin e “Klubit të Prodhuesve” sot në Prishtinë, inaugurimi i të cilit tha se është mënyra më e mirë që të shënohet tetë-vjetori i Pavarësisë së Kosovës.

Ne fjalimin e tij para prodhuesve vendor, Mustafa tha se Kosova ka biznese të shkëlqyeshme të cilat mund të jenë konkurruese në tregun evropian.

Ai tha se Qeveria ka punuar që të bëjë reforma të caktuara për nxitjen e sektorit privat, veçmas sektorin e prodhimit. Shefi i ekzekutivit tha se duhet bërë ndryshimin e bilancit tregtar, të eksportohet më shumë dhe të bëhet përgatitje për eksport.

Gjithashtu, Mustafa tha se duhet shfrytëzuar përparësitë që jep nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asocimit, që prodhuesit e Kosovës të jenë konkurrent në tregun evropian, meqë kjo tashmë është e drejtë e tyre.

Ai shtoi se është e nevojë e Kosovës që të përgatiten bizneset e të jenë konkurrent në mënyrë që të marrin pjesë në tregun prej 500 milionë konsumatorëve, kryesisht përmes sektorit të prodhimit.

Ndërsa, kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Visar Kelmendi tha se përmes këtij klubi, synojnë të ndryshojnë klimën e të bërit biznes.

Astrit Panxha, që është drejtor ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve, tha se përmes reformave do të mund të ndryshohet ekonomia, ku edhe do të ketë një zhvillim më të qëndrueshëm të saj.

 

Klubi i prodhuesve të Kosovës është themeluar në nëntor 2015. Aktualisht përbëhet nga nëntë firma të cilat kanë rreth 15 mijë punëtorë, 23 fabrika dhe mbi 50 brende. Është organizatë jo-qeveritare që është themeluar nga disa prej prodhuesve të Kosovës.

Në këtë inaugurim u tha se klubi dëshiron që të krijojë e fuqizojë partneritet me institucionet e Kosovës./KosovaPress/