20.12.2017

Ministria e Zhvillimit Ekonomik organizoi sot ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes Komerciale për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Contour Global.

Klubi i Prodhuesve të Kosovës-KPK është përkrahës i kësaj marrëveshje ngase siguria e furnizimit me energji elektrike është një nga faktorët kryesorë të zhvillimit ekonomik në vend dhe bazë për forcimin e sektorit të prodhimit. KPK, beson se termocentrali “Kosova e Re” do të bëhet katalizator i zhvillimit ekonomik duke ofruar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, mungesa e të cilës i ka kushtuar prodhuesve vendore rreth 300 milionë euro humbje në vit.  Jetësimi i këtij projektit shënon njërin nga hapat më të rëndësishëm drejt përmbushjes së synimeve të shtetit të Kosovës për pavarësinë energjetike të vendit dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

Ndërtimi i këtij termocentrali po bëhet për t’i dhënë pavarësi energjetike Kosovës dhe për ta zvogëluar varësinë nga çmimi i paparashikueshëm të energjisë në tregun rajonal. Krahas sigurisë në furnizim me energji, misioni i njësisë së re po bëhet për të zëvendësuar njësitë e vjetra prodhuese të TC “Kosova A”.

 

Termocentrali i ri do të fillojë të ndërtohet në vitin 2018 dhe do të jetë funksional që nga viti 2023, do të jetë i ndërtuar me fjalën e fundit të teknologjisë dhe në këtë mënyrë do të reflektojë në uljen e emetimit të gazrave, respektivisht në ruajtjen e mjedisit.