Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka organizuar të hënen një tryezë të rrumbullakët, në të cilën është debatuar  gjersisht dhe në mënyrë komplekse  për sfidat në Industrinë e Qumështit në Kosovë.

Astrit Panxha, Drejtori i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, që udhëhoqi këtë tryezë, pasi ka përshëndetur pjesëmarrësit, ka hapur diskutimet rreth sfidave në sektorin e prodhimit të qumështit, që është një nga sektorët më strategjik në prodhimtarinë vendore. Pjesëmarrësit  kanë paraqitur pikëpamjet institucionale dhe të fermerëve rreth mbështetjes së këtij sektori të prodhimit, konkurueshmërinë në industrinë e qumështit, sfidat dhe masat mbrojtëse sezonale që janë duke u marrë dhe do të merren vë vazhdim si dhe për cilësinë dhe standardet e produkteve vendore të qumshtit dhe të atyre nga importi.

Vezir Januzaj, zëvendësministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, tha se përmes implementimit të Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, sektori i qumshtit ka përfituar më së shumti. Sipas tij, mbështetja e këtij sektori është bërë përmes granteve investive dhe skemës së pagesave direkte. Nga totali i buxhetit për bujqësi nga MPBZHR-ja dhe Komisioni Evropian, rreth 25 për qind është ndar vetëm për qumështin. Januzaj theksoi në vazhdim se nga viti 2008 deri më 2015 nga donatorët dhe institucionet vendore janë ndarë rreth 40 milionë euro për qumësht, në grante dhe në subvencione. Vetëm këtë vit në pagesa direkte dhe grante , sipas Januzajt, janë planifikuar për këtë sektor rreth 10 milionë euro.

Ministria e Bujqësisë prodhimin e qumështit e mbështet në tre forma- në grante, në subvencione për krerë lopësh dhe për krerë delesh dhe në subvencione për qumështin sipas cilësisë.

Januzaj ka potencuar edhe forma të tjera të mbështetjes së këtij sektori , siç janë projektet për promovimin  e këtij produkti, marrëveshja e nënshkruar ditë më parë mes Shoqatës së qumështarëve dhe USAID-it për promovimin e qumështit të freskët, i cili tashmë ka dalë në treg në sasi të limituar. Ai ka theksuar se MBPYHR-ja do të vazhdojë të mbështes këtë sektor, duke bashkëpunuar ngushtë me fermerë dhe shoqata në mënyrë që politikat mbështetëse të kësaj ministrie  të avancohen dhe sfidat ekzistuese të adresohen sa më shpejtë.

Ramadan  Memaj, kreu i Shoqatës së Qumështoreve të Kosovës vuri në dukje problemet esenciale me të cilat po ballafaqohen qumështarët e Kosovës. Sipas tij, si pasojë e importit të pakontrolluar po shtohen problemet e qumështarëve vendorë. Ai ka theksuar se që nga viti 2009 nga ana e MTI-së nuk është marrë asnjë masë për rregullimin e tregut të qumështit dhe produkteve të tij dhe se edhe më tutje vazhdon konkurrenca jo lojale, sikundër që vazhdon importi enorm i produkteve me origjinë bimore që po dëmton plasimin e produkteve vendore të qumështit, po shkatërrojnë shtetin dhe prodhuesit vendorë të qumështit. Sipas tij, vetëm gjatë vitit 2015 janë importuar produkte bimore në vlerë 4 milionë euro.

Muhamet Mustafa, deputet në Kuvendin e Kosovës insistoi që të krijohet dhe të funksionoi një bashkëpunim më i mirë dhe më i sinqertë ndërmjet institucioneve dhe  prodhuesve të qumështit. Ai e paraqiti si shqetësuese edhe të dhënat statistikore që jo rrallë herë nuk janë të sakta dhe si të tilla nuk ndihmojnë për  zgjidhjen e problemeve në këtë sektor. Duhet saktësuar sa është importi i qumështit dhe a është e saktë e dhëna që dëgjohet aq shpesh se 40 për qind e nevojave për qumësht plotësohen nga importi. Sipas Mustafës, poashtu, është shqetësuese fakti pse në tre vjetët e fundit  kemi pasur prodhim të njëjtë dhe import të pandryshueshëm të qumështit megjithë  këto stimulime dhe subvencione që janë ndërmarrë për ta ndihmuar këtë sektor.

Ai tha se ka nevojë për politika aktive për të përkrahur industrinë vendore të qumështit dhe për një mbrojtje të lehtë  të tregut vendor, sidomos gjatë muajve maj,qershor dhe korrik dhe kjo mbrojtje, sipas tij, lejohet edhe nga CEFTA. Institucionet e Kosovës duhet të kenë më shumë mirëkuptim për  për prodhuesit vendorë dhe mos të ndodhë që të ketë më shumë mirëkuptim për hallet e importuesve se sa për ato të prodhuesve. Profesor Mustafa në fund kërkoi që të rrite vlera e re e krijuar në vend, dhe sipas tij, industria e qumështit mund ta bëjë këtë.

Drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe veterinarisë, Naser Gjinovci, në diskutimin e tij, u përqendrua të cilësia e produkteve vendore të qumështi dhe kontrollet që i bëhen atyre. Ai tha se qumështi i Kosovës është konkurrent me të gjithë prodhuesit vendor. Sipas tij, qumështi i fermerëve vendor kontrollohet dhe i bëhen analizat dy herë në muaj nga ky agjencion. Por këtë  e kontestoi fermeri  dhe prodhuesi i qumështi nga rajoni i Dukagjinit, i cili tha se analizat bëhen vetëm një herë në muaj, dhe ky fakt i dëmton prodhuesit.

Edhe Ibrahim Rexhepi, analist i ekonomisë,  insistoi në nevojën e shifrave të sakta në këtë sektor. Sipas tij, ende nuk dihet saktësisht për kapacitetet prodhuese, strukturën e bagëtive, numrin e tyre etj.

Sipas fermerit Besim Kuqi, problemi i shitjes së qumështit është kyq për prodhuesit. Në  rajonin e Dukagjinit qëndrojmë më mirë në këtë aspekt, falë Kompanisë së fuqishme Vita, por në rajonet e tjera të Kosovës ka probleme shumë të theksuara rreth pasimit. Ai e sheh si shqetësuese edhe çmimin , sidomos në rajonet jashtë Dukagjinit . Ende nuk ka çmim garantues për qumështin, tha ai./Revista Ekonomia