veseli

Postuar më: 21 Tetor 2015 / 14:32

 

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në kuadër të agjendës së tij të parlamentarizmit ekonomik, zhvilloi takim me një numër të prodhuesve vendorë.
Në takim u diskutua për mundësitë e stimulimit të resurseve vendore në fushën e prodhimit dhe përpunimit, duke theksuar faktin se vetëm nëpërmjet prodhimit dhe krijimit të vlerës së shtuar, si në sektorët prodhues ashtu edhe ata përpunues, Kosova do të mund të krijojë vendet e reja të punës.

Kryetari Veseli gjatë këtij takimi shpalosi agjendën ekonomike rreth së cilës do të punohet për të ndihmuar rritjen e bizneseve prodhuese në Kosovë.

Kjo agjendë, mes tjerash, nënkupton investimin në kapitalin njerëzor, në mënyrë që ky kapital të jetë në përputhje me kërkesat e tregut. “Fillimisht në këtë drejtim do të iniciohet ngritja e një agjencie për aftësimin e fuqisë punëtore që do të plotësojë nevojat e tregut të punës”, theksoi Veseli.
Aspekti tjetër i kësaj agjende është Fondi për zhvillimin e prodhimit. Në takim u theksua se fondi i cili është premtuar aq shumë duhet të bëhet realitet. Fondet nga privatizimi duhet të futen ne funksion të zhvillimit ekonomik. Në kuadër të kësaj duhet ndjekur modeli i stimulimit siç është ai i Ministrisë së Bujqësisë për të stimuluar prodhimin dhe shërbimet e vlerës së shtuar.

Në takim u bisedua edhe për masat urgjente që duhen ndërmarrë për krijimin e lehtësirave në tatimin në fitim. “Ne duhet të jemi konkurrues me rajonin. Në këtë drejtim duhet të lirojmë të gjithë prodhuesit dhe kompanitë shërbyese nga tatimi në fitim në një periudhë 10 vjeçare. Në të njëjtën kohë, do të duhet liruar të punësuarit e këtyre ndërmarrjeve të lirohen nga tatimi në të ardhura”, theksoi Veseli.

Ai gjatë takimi po ashtu tha se zonat e lira tregtare nuk kanë kuptim në rast se nuk krijohen kushtet stimuluese për prodhuesit apo investitorët. “Ne duhet të ofrojmë tokën, infrastrukturën si dhe masat tjera të stimulimit të prodhuesve që të lëvizin në këto zona. Fillimisht duhet të ndërhyjmë në heqjen e barrierave burokratike dhe përmirësimin e bazës ligjore që gjërat të ecin mirë në këtë drejtim”, pohoi Kadri Veseli.

Po ashtu u bisedua edhe për mundësitë që bizneset kosovare të punësojnë qytetarë nga veriu i Kosovës, si një masë urgjente në përkrahjen e tyre. Kryetari Veseli theksoi me këtë rast se “zyra e tij do të dal me një propozim konkret për të stimuluar punësimin e banorëve të veriut në vendet tjera në Kosovë”