Klubi i Prodhuesve të Kosovës së bashku me bashkë organizatorin e këtij samiti Fondacionin BESA, dëshiron të falënderoj të gjithë pjesëmarrësit që ishin të pranishëm përgjatë dy ditëve të mbajtjes së VET Samitit.
VET Samiti u mbajt me 29 dhe 30 Qershor, dhe ishte platforma e parë e Arsimit dhe Aftësimit Profesional (AAP) e cila mblodhi kompani nga sektori privat, institucionet qeveritare, donatorët ndërkombëtar, përfaqësues të biznesit nga rajoni dhe diaspora, për të diskutuar rreth AAP-së si promotor të zhvillimit ekonomik.
Përgjatë dy ditëve u diskutuan tema me rëndësi të cilat theksuan rolin që ka AAP në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.
Edicioni i sivjetmë i VET Samitit u përkrah nga USAID Kosovo Compete Activity, Projekti ESVET PRO – Mbështetja e Bashkimit Evropian për Rikualifikimet Profesionale dhe Profesionet në AAP, Enhancing Youth Employment- EYE Project, Projekti ALLED 2 dhe Kosovo Challenge Fund.
Kryetari Klubit të Prodhuesve, z. Berat Mustafa gjatë adresimit të të pranishmëve në ceremoninë hyrëse në Samitin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Kosovë – VET Summit 2021, tha që Klubi i Prodhuesve që një kohë të gjithë punën dhe aktivitetet i ka fokusuar në identifikimin e nevojave si dhe gjetjen e zgjidhjeve për trajnimin dhe zhvillimin e punonjësve në sektorin e prodhimit. Pasi që e shohim si njërin ndër sfidat kryesore të kompanive prodhuese në zhvillimin dhe avancimin e tyre.
Kurse, Astrit Panxha, drejtor ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve tha që organizimi i këtij samiti ka ardhur si nevojë e pashmangshme e sektorit të prodhimit për trajnimin e punëtorëve me shkathtësi dhe aftësi të nevojshme për tregun e punës. Ai gjatë fjalimit u fokusua në arsyen e mbajtjes së VET Samitit, në parkun e trajnimeve dhe inovacionit në Prizren, ku theksoi që e shohim si qendër me potenciale të mëdha për investimeve të ardhshme.