Klubi i Prodhuesve të Kosovës përshëndet vendimin e ZRRE-së për shtyrjen e vendimit për liberalizim të tregut, më saktësisht krijimit të mundësive të daljes së konsumatorëve në treg të hapur sipas parimeve dhe afateve të vendosura në Ligjin për Energjinë Elektrike.

Tashmë një kohë Klubi i Prodhuesve ishte duke avokuar për shtyrjen e këtij vendimit, duke pasur parasysh se në Kosovë ende nuk janë krijuar kushtet për liberalizim të tregut dhe ku furnizim me energji elektrike ende ofrohet nga vetëm një operator.

Gjendja e tanishme, ku vetëm një operator është funksional dhe i aftë të ofroj shërbimet, shkel parimet e ekonomisë së tregut me konkurrencë të lirë, që është bazë e rregullimit ekonomik të Republikës së Kosovës, dhe dëmton rëndë konsumatorin e veçanërisht prodhuesin vendor.

Klubi i Prodhuesve të Kosovës kërkon që të rishikohet e gjithë korniza ligjore për energji, dhe shpresojmë që mos të gjendemi në situatë të tillë përsëri, por që të punojmë për një treg të liberalizuar i cili reflekton në rritje të konkurrencës dhe eficincës në treg.