Klubi  i Prodhuesve të Kosovës përfundoi me sukses mbajtjen e edicionit të katërt të Festivalit të Gjelbër.

Pjesëmarrës në këtë edicion të katërt të Festivalit të Gjelbër ishin 47 kompani të ndryshme nga sektori i gjelbër si riciklimi, energjia eficiente, energjia solare & ripërtërishme, teknologjia e gjelbër dhe inovative si dhe si risi në edicionin e katërt të festivalit iu shtua dhe komponenti i sektorit të  ndërtimit veçanërisht me fokus ndërtimit eficient dhe urbanizimit të qëndrueshëm.

Organizimi i edicionit të katërt të Festivalit të Gjelbër u bë nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës në partneritet me USAID Empower Private Sector, GIZ Kosovo, Ambasadën e Mbretërisë së Holandës në Kosovë,  Procredit Bank, dhe Teb Bank.

Të pranishëm në Ceremoninë hapëse të Festivalit të Gjelbër  ishin dhe përfaqësues të organizatave dhe institucioneve shtetërore, përfaqësuesit e organizatave jo-qeveritare, donator të ndryshëm dhe përfaqësues të ambasadave të akredituara në Kosovë.

Kompanitë pjesëmarrëse ekspozuan produktet e tyre si dhe disa nga kompanitë prezantuan para publikut disa prej projekteve më inovative. Edicionin e sivjetmë të Festivalit të Gjelbër  e vizituan rreth 1900 vizitorë, përgjatë dy ditëve se edhe zgjati ky festival. Vizitorët patën mundësinë të njoftoheshin me risitë në tregun e Kosovës në sektorin e gjelbër si dhe me kompanitë pjesëmarrëse duke u informuar për se afërmi me produktet dhe shërbimet të cilat këto kompani ofrojnë.

Pjesë e aktiviteteve të festivalit të Gjelbër në kuadër të Forumeve të Gjelbra u mbajtën dhe sesione me tema të ndryshme ku diskutuan ekspertë ndërkombëtare dhe lokal për trendet e reja dhe mundësitë e investimit në biznese në sektorin e gjelbër, si dhe për rëndësinë e energjisë së ripërtëritshme, eficiencës së energjisë dhe riciklimin.